E shtuna poetike nga poetja; Zhaneta Barxhaj

 Shtrirë, mbi rërën e lagur të vjeshtës

——————————————

Me gem të dhimbjes, griset reja,

bubullon dhe çahet qielli…

Pikës së gjakut, kriset shkëmbi,

prafullon dhe dridhet toka…

Lotit të syrit, rrëzohet deti,

shkundullon dhe thahet bota…

Sythit të shpirtit, kapet rrufeja,

oshëtinë dhe vyshket gjethja…

Ajrit i ulem gjunjazi, të më shpërndaj,

që gemi, pika, sythi, loti

zemrën të mos më çaj…

***

Yjet e shqyen qiellin

me dhëmbët e qenit, që i përdorin si heshta.

Brenda gojëve përtypin terrin dhe vjellin fosforin e eshtrave të tij…

Shtrirë, mbi rërën e lagur të vjeshtës,

ndjej gllënkat e tyre.

Më vishen sytë nga fosfori i derdhur

dhe mes kësaj rropullie më shfaqesh ti.

Tani, yjet shqyejnë qiellin,

unë, nga pak dashuri…

***

Në kubenë e kishës,

ku tymi gjithë ojna lartohej,

sytë u ndezën si qirinj dhe u lutën…

U lutën, u puthën në erë,

fluturuan me tymin mbi kubenë.

Aty, preka eshtrat e kohës,

që mbytur më ishin,

preka zotat që falur nuk më kishin.

Dhe ndjeva dorën tënde,

që më mbante mes resh…

***

Fytyra ime,

dy sy të misërt, koçekut të tharë.

Një blu një i verdhë, si ngjyra morti.

Trupi im,

akrep që mbyt veten ngadalë.

Zemra, një gur nga lumi marrë.

Gjethe të murrme, krahët e këmbët.

O zot, paskam harruar shputat dhe pëllëmbët.