Edhe Memli Krasniqi i shkon nesër Kurtit në takim  

                                    Edhe kreu i PDK’së, Memli Krasniqi, do të shkojë në takimin e thirrur nga kryeministri Albin Kurti, pas zhvillimeve të fundit në veri të vendit.Burime brenda PDK-së kanë konfirmuar për Gazetën Online Reporteri.net se Krasniqi ka konfirmuar pjesëmarrjen në takimin me kryeministrin Kurti.Ndryshe, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, i ka dërguar sot letër Kryeministrit Albin Kurti për situatën në pjesën veriore të Kosovës, duke i shprehur gatishmërinë e PDK-së për të komunikuar dhe harmonizuar veprimet e institucioneve në vazhdimin e ushtrimit të sovranitetit në çdo pjesë të territorit të vendit.Në letrën e tij, lideri i Opozitës, Memli Krasniqi, ka thënë se situata në pjesën veriore është shqetësuese, me rrezik të përshkallëzimit, ndërsa epilogu nuk është i qartë. Andaj, sipas tij, një koordinim i Qeverisë me Opozitën dhe harmonizimi i veprimeve institucionale me partnerët ndërkombëtarë është i domosdoshëm.“Kosovës i duhen veprime të përgjegjshme që e ruajnë stabilitetin e shtetit tonë. Me këtë rast, ju shpreh gatishmërinë e Partisë Demokratike të Kosovës për të komunikuar hapur dhe në vazhdimësi rreth situatës së krijuar në pjesën veriore të vendit, si dhe për të ndihmuar institucionet në vazhdimin e ushtrimit të sovranitetit në çdo pjesë të territorit tonë”, ka thënë Krasniqi.Pjesëmarrjen në këtë takim e ka konfirmuar edhe kreu i AAK’së, Ramush Haradinaj.Kjo s’është hera e parë që Kurti i fton për takim opozitarët. Një ftesë të tillë ua kishte dërguar edhe para rreth tri javësh, për të folur lidhur me procesin e dialogut. Haradinaj ishte i vetmi që ishte përgjigjur pozitivisht dhe kishte marrë pjesë në takim./Reporteri.net