“Edhe një burrë që vranë një grua”, Osmani: Mjaft më me dënime qesharake
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka reaguar për rastin e vrasjes së sotme të 21-vjeçares në Ferizaj nga ish bashkëshorti i saj.
Osmani e ka cilësuar vrasjen e sotme si femicid. “Edhe një përkujtim se këta vrasës mizor të cilët ia kanë mësyer të shkatërrojnë jo veç jetën e grave, por edhe thelbin e shoqërisë sonë mund të ndalen vetëm nëse të gjithë bashkohemi e rizgjohemi si shoqëri kundër këtij fenomeni të tmerrshëm”, ka shkruar Osmani në një postim në Facebook, transmeton Telegrafi. Tutje Osmani ka thënë “Mjaft më me dënime qesharake. Mjaft më me sistem të çalë të drejtësisë. Mjaft më me dështim të shtyllave që do të duhej të mbronin gratë tona, qytetarët tanë”. Duke i shprehur ngushëllime të sinqerta familjes, Osmani ka kërkuar dënim maksimal për vrasësin. Një grua ka mbetur e vrarë nga të shtënat me armë zjarri në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj, pasditen e 12 prillit, kurse vëllai i saj i mitur është plagosur. Dorasi dyshohet se ishte ish-bashkëshorti i viktimës. Policia e Kosovës për rajonin e Ferizajt, ka konfirmuar se gruaja, e identifikuar me inciale, E.C, 21 vjeçe, ka vdekur në vendin e ngjarjes, ndërkaq është plagosur edhe D.C, 15 vjeç. I plagosuri është dërguar në Qendrën Emergjente në Ferizaj dhe sipas Veselit është jashtë rrezikut për jetë. Policia tha se ngjarja ndodhi në orën 14:40 dhe i dyshuari V.A, 36 vjeç, fillimisht kishte ikur nga vendi i ngjarjes, por autoritetet arritën ta arrestonin në orën 15:15. Ai, sipas Prokurorisë Themelore, është dërguar në mbajtje prej 48-orësh, dhe për të do të kërkohet masa e paraburgimit. Ndaj vrasjes së 21-vjeçares në Ferizaj kanë reaguar edhe kryeministri Kurti, ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu, liderë të partive politike dhe pjesëtarë të shoqërisë civile