Ekskluzive- Kontaktet sekrete të Rugovës me UÇK-në ishin në janar të vitit 1999
Presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova, për herë të parë kontaktet e drejtpërdrejta me UÇK-në i kishte pasur në janar të vitit 1999. Atëkohë, i deleguar i Rugovës te UÇK-ja ishte caktuar njëri prej themeluesve të LDK-së, Milazim Krasniqi. Në Shtabin e UÇK-së, pos Krasniqit, kishte shkuar edhe Faruk Spahiu dhe ishte ndërmjetësuar nga Qazim Thaçi.
Zyrtarët e LDK-së i kishte pritur Shefi i Shtabit, Bislim Zyrapi. Këto janë disa prej ngjarjeve që përshkruhen në librin e shkrimtarit Milazim Krasniqi, i titulluar “Sekretet që nuk i mori me vete Ibrahim Rugova”.
“Unë e pranova propozimin por i kërkova që me mua të vinte Faruk Spahija, i cili ishte anëtar i Kryesisë së LDK’së dhe një nga njerëzit, që edhe Rugova e konsideronte korrekt. Ai u pajtuar me propozimin tim dhe unë e organizova shkuarjen, me ndërmjetësimin e Qazim Thaçit, me logjistikën e Osman Qerretit (Komandant Çunit) dhe biseduam me Shefin e Shtabit Operativ të UÇK-së, Bislim Zyrapin, në Shtabin e tij në Berishë”, shkruan Krasniqi, në faqen 50 të librit. Shkuarja e zyrtarëve të LDK-së në Shtabin e UÇK-së mbahej sekret edhe prej amerikanëve./Express/