Ese filozofike: Mbi miqtë që nuk i njohim dhe armiqtë që i dime/ -Shkruar nga; Muharrem Qafleshi

Në teatrin e gjerë të ekzistencës, të gjitha qeniet gjenden në një marrëdhënie të pandashme me armiqtë e tyre. Secila prej tyre pavarësisht formës, madhësisë apo shkallës së vetdijes e mban brenda një mekanizëm për të dalluar rrezikun. Armiku është një figurë e qartë, e njohur, e skalitur në logjikën e mbijetesës. Kjo është një e vërtetë e thjeshtë, thuajse e pafjalë: çdo gjallesë e ndien se kush i kërcënon jetën. Prandaj, shmangia e tij bëhet strategji, ndërsa përballja, kur shmangia dështon, është e pashmangshme even pse humbja është e paracaktuar.
Por ka një çudi të madhe që fillon aty ku fillon njeriu.
Te njeriu, kjo qartësi, kjo logjikë e pastër instinkti, zhbëhet. Njeriu njeh më kollaj armikun sesa mikun. Ai e sheh armiqësinë më qartë se dashamirësinë, rrezikun më qartë se besimin. Është sikur syri i njeriut është i mësuar të shohë terrin, por ka vështirësi të dallojë dritën. Dhe kjo nuk është thjesht dobësi njerëzore, por një paradoks i thellë i ekzistencës sonë.
Armiqtë: pasqyra të errëta që flasin hapur
Armiqtë tanë nuk na mashtrojnë. Nuk kanë pse. Armiku zbulohet me gjuhën e mospajtimit, me heshtjen e tensionit, me një veprim, një qëndrim, një shikim. Njeriu e ndien kundërshtinë, e njeh energjinë e saj të papajtueshme. Në këtë kuptim, armiku është pothuaj i sinqertë. Nuk maskohet, ose edhe kur maskohet, maska e tij rrëzohet shpejt. Armiqësia është e drejtëpërdrejtë, e prerë, e lexueshme.
Kjo e bën njeriun të jetë më i sigurt për armiqtë e tij sesa për miqtë. Armiqtë i japin njeriut orientim: “Ja ku jam.” Dhe me këtë orientim, njeriu mund të pozicionohet, të mbrohet, të përgatitet.
Në një farë mënyre, armiku i qartë është një e mirë e fshehtë një dritë e errët që të lejon ta lexosh botën.
Miqtë: hije të ndriçuara që shpesh nuk i shohim
Miqtë janë një tjetër mister.
Miku nuk është instinkt, as dukuri natyrore që lind automatikisht. Miku është zgjedhje. Është marrëdhënie e ndërtuar, e rritur, e provuar. Miku i vërtetë është produkt i kohës, i sakrificave të vogla, i përballimeve të përbashkëta, i heshtjeve të sinqerta. Dhe pikërisht sepse miqësia është një konstrukt i lartë njerëzor, ajo është më e vështira për t’u njohur.
Njeriu shpesh ngatërrohet:
– e merr afërsinë për besnikëri,
– e interpreton buzëqeshjen si sinqeritet,
– e merr praninë si dëshmi qëllimi të mirë.
Por miqësia nuk ka shenja të qarta. Ajo nuk shpallet. Nuk tregon veten menjëherë. Ajo rri e fshehur, ndoshta prapa një fjale të thjeshtë, një gjesti të vogël, një kundërshtimi të vërtetë, një kritike të ndershme. Ndërkohë, miqtë e rremë qëndrojnë më afër se ç’duhet, duke ngrohur rreth rrezes së interesave të tyre.
Dhe kështu, njeriu ka më shumë raste të gabojë po të kërkojë mikun, sesa po të zbulojë armikun.
Miku kërkon urtësi, maturi, përvojë.
Armiku kërkon vetëm sy hapur.
Iluzioni i njohjes: gabimi më njerëzor
Në jetën tonë, shpesh i kemi njohur më shpejt ata që na kanë dashur më pak, dhe kemi njohur më vonë ata që na kanë dashur më shumë. Kemi kuptuar më mirë rrezikun se sa mbrojtjen. Kemi dalluar më shpejt kërcënimin sesa besimin.
Njeriu është i ngarkuar me iluzionin e njohjes: ai beson se i njeh njerëzit rreth tij, por në të vërtetë njeh më tepër rolet e tyre, sjelljet e tyre të jashtme, sesa thelbin e tyre. Miqësia e vërtetë shpesh gjendet në atyre që nuk shfaqen shumë, në ata që nuk premtojnë, por qëndrojnë.
Ka një dallim të madh mes atij që vjen kur je mirë dhe atij që qëndron kur je rëndë. Por këtë dallim njeriu e kupton vetëm pasi ta ketë jetuar.
Dilema e përjetshme e qenies njerëzore
Ndërsa çdo qenie tjetër e gjallë i njeh armiqtë e vet me sigurinë e instinktit, njeriu ka barrën e të jetuarit në një terren të paqartë, ku më të vështirët për t’u dalluar nuk janë armiqtë, por miqtë.
Ndaj dhe njeriu ecën gjithmonë me një lloj kujdesi të fshehtë në shpirt, duke e ditur se armiqtë i sheh përballë, por miqtë duhet t’i zbulojë në një udhëtim të gjatë, të papërcaktuar, të pasigurt, por të domosdoshëm.
Në fund, njeriu nuk është i sprovuar nga armiqtë që i njeh, por nga miqtë që nuk i njeh kurrë plotësisht.
Dhe pikërisht këtu qëndron thellësia e fatit tonë njerëzor./fb/QendraPress/