Fabrika e municionit dhe fluturaket pa pilot, aspiratë strategjike apo kauzë elektorale? –Shkruan ;Hisen BERISHA, Deputet i Parlamentit të Kosovës.

Vendimi i fundit i Qeverisë së Kosovës për të themeluar një Komision ndërministror që do të nisë procedurat për hapjen e fabrikës së municionit dhe laboratorit për fluturake pa pilot është një hap interesant që kërkon një qasje strategjike dhe një analizë të thellë e të detajuar mbi kapacitetet aktuale dhe potencialet e zhvillimit të vendit. Ajo çfarë uroj së pari, është që të mos jetë një kauzë mashtruese për efekte elektorale, ashtu siç ka pasur paskrupullsinë t’i bëjë kauza elektorale edhe shumë tema të ndjeshme si, “bashkimin kombëtar”, “shërbimin e detyrueshëm ushtarak”, e tjera premtime që për gjashtë vite qeverisje rezultuan gënjeshtra, e tani po përpiqet t’ua bëjë reprizën. Kjo tingëllon (e mundshme) si një kauzë biznesi e ndërlidhur me zhvillimet e sigurisë dhe mbrojtjes dhe ka disa iniciativa nga ndërmarrës privatë që i janë ofruar Ministrisë së Mbrojtjes për krijimin e bazës ligjore dhe partneritet. Por, nëse i bëjmë një analizë procesit të implementimit të projektit FAK dhe ngecjeve në përmbushjen në afat dhe me kriteret e standardet e kërkuara sipas Planit Gjithëpërfshirës të Tranzicionit, modernizimit e standardizimit siç kërkohet nga aleatët për ndërveprueshmëri, atëherë edhe kjo ide rrezikohet nga ambiciet elektorale për pushtet, për çka qëllimi gjithmonë arsyeton mjetet dhe rrugën deri aty, për këtë soj politikbërësish. Kosova, si një shtet në zhvillim, pas një procesi të Rishikimit Strategjik të Sektorit të Sigurisë dhe hartimit të Planit Gjithëpërfshirës të Tranzicionit (PGJT), po ndërton kapacitetet ushtarake mbrojtëse – Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK) nën asistencën tekniko-profesionale dhe politike të partnerit tonë strategjik, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përmes bashkëpunimit me Gardën Kombëtare të IOWA-s dhe bazuar në marrëveshjen gjithëpërfshirëse SOFA (Status of Forces Agreement). Ky partneritet garanton standarde të larta dhe furnizim të vazhdueshëm me pajisje moderne, armë, municione, sisteme armatimi, si dhe mirëmbajtje të plotë për pajisjet, pjesët rezervë dhe municionin. Për këtë vendim, duhen marrë parasysh disa çështje kyçe që lidhen me realitetin ekonomik-zhvillimor, teknologjik dhe ligjor të Kosovës. Ajo që del në rend të parë është mungesa e përputhjes me sistemin ekonomik të Kosovës, që është ndesh me konceptin dhe filozofinë politikbërëse e qeverisëse të kësaj klase politike, që qeverisin me logjikën administrative komuniste e falimentuar tashmë edhe në gjenezën e saj në Moskë. Kosova operon në kuadër të një ekonomie të tregut, ku roli i shtetit është të krijojë dhe zbatojë kuadrin ligjor, ndërsa veprimtaritë ekonomike zakonisht i lihen sektorit privat. Investimi direkt nga shteti në këtë drejtim mund të jetë i diskutueshëm nga kjo perspektivë. Mungesa e një studimi fizibiliteti deri tani është një pengesë serioze. Ky studim duhet të analizojë gjendjen teknologjike të vendit për prodhimin e armëve dhe municionit; rrugët përkatësisht zinxhirin e furnizimit me lëndë të para, gjysmëprodukte apo pjesë specifike; kapacitetet për eksport dhe implikimet e mundshme ekonomike dhe të sigurisë. Për më tepër, ende nuk është e qartë forma e investimit, nëse projekti do të financohet nga buxheti i shtetit, përmes një partneriteti publiko-privat, apo përmes investimeve private. Është e rëndësishme të sqarohet infrastruktura ligjore që lejon një investim të tillë, pasi ligji aktual për partneritetin publiko-privat nuk përfshin sektorin e mbrojtjes dhe sigurisë. Pra, duhet përshtatur kuadrin ligjor për sektorin e mbrojtjes dhe sigurisë. Një tjetër çështje është tranzicioni i forcës dhe aspekti sasior, i cili sipas analizës së ekspertëve amerikanë dhe Planit Gjithëpërfshirës të Tranzicionit të Forcës, Kosova, bazuar në fuqitë nacionale, në këtë fazë, nuk duhet të synojë kapacitete për vetëqëndrueshmëri logjistike në aspektin e prodhimit të municionit apo pajisjeve ushtarake, ashtu siç po provohet me çështjen e ushqimit. Këtu s’mund të kenë 1000 veta armë e municione, e të tjerët të shohin se si kolegët e tyre “hanë biftek të klasit të parë”! Për këtë arsye, operohet me kontraktimin e operatorëve ekonomikë, qofshin prodhues apo ndërmjetësues, për të plotësuar nevojat për furnizime ushtarake. Ajo çfarë duhet pasur imperativ po ashtu, është korniza ligjore dhe verifikimi i sigurisë. Nëse investimi bëhet nga kompani të huaja, kërkohet një analizë e hollësishme e kornizës ligjore dhe procedurave për verifikimin e sigurisë. Ndërtimi i një zinxhiri të kompletuar të proceseve teknologjike për prodhimin ushtarak kërkon kohë dhe kapacitete të mëdha. Kosova aktualisht duket se është larg përmbushjes së këtyre kërkesave, por një strategji mirë e planifikuar e bën të mundshëm këtë objektiv. Një element kritik për realizimin e një projekti të tillë është ekzistenca e burimeve bazë dhe industrive mbështetëse në Kosovë. Për shembull, krijimi i një zinxhiri teknologjik siç është funksionalizimi i industrive si Trepça, që mund të sigurojë bakrin, zinkun dhe materiale të tjera të domosdoshme për prodhimin e armëve dhe municionit, është thelbësor. Aktualisht, mungesa e një industrie të zhvilluar metalurgjike dhe përpunimit të lëndëve të para është një pengesë madhore për këtë iniciativë. Një studim korrekt i fizibilitetit do të duhej të përfshinte një analizë të nevojave dhe mundësive të eksportit. Duke pasur parasysh tregun rajonal dhe ndërkombëtar, Kosova duhet të ketë kapacitete për të qenë një prodhues i vetëqëndrueshëm. Shembuj të tjerë në rajon tregojnë se Maqedonia ka një fabrikë municioni funksionale, Shqipëria po rindërton kapacitetet e saj prodhuese dhe Kroacia tashmë eksporton dronë dhe armë. Në këtë kontekst, bashkëpunimi me partnerë të tjerë është thelbësor për suksesin e këtij projekti. Në përfundim, çdo vendim për investime të kësaj natyre kërkon transparencë të plotë, bazë të fortë ligjore dhe një analizë të gjithanshme që merr parasysh kapacitetet reale të Kosovës, resurset bazë dhe rreziqet e mundshme që lidhen me këtë nismë. Pa ndërtimin e një industrie mbështetëse të qëndrueshme, projekte të tilla rrezikojnë të mbeten vetëm aspirata pa realizim konkret. Aq më tepër kur këto lansohen në fushata elektorale për efekt vote, lëndojnë shumë vizionin e shëndoshë që kanë ushtarakët e përkushtuar në ndërtimin e sistemit të mbrojtjes dhe sigurisë me partnerët aleatë në këtë fushë si SHBA. Prioriteti i Kosovës duhet të jenë aleancat me partnerë strategjikë që garantojnë një të ardhme të sigurt, në botën e egër politike./www.QendraPress.com/