Fatmir Limaj përlotet teksa flet për luftën: Momenti më i vështirë ishte kur m’u vra ushtari 16-vjeçar
Ish-luftëtari i UÇK-së Fatmir Limaj ka kujtuar një moment të vështirë gjatë luftës në Kosovë me forcat serbe. I ftuar në emisionin Opinion në Tv Klan, Fatmir Limaj tregoi se momenti më i rëndë për të ka qenë kur në luftë iu vra ushtari 16-vjeçar që kishte nën varësi.Sipas tij, Avniun e kishin larguar tre herë nga UÇK-ja, për shkak se ishte djalë i vetëm, por ai sërish ishte kthyer në luftë.Fatmir Limaj: Momenti më i vështirë në luftë është kur të vriten shokët. S’ka moment më të vështirë. Por më i vështiri është kur m’u ka vrarë ushtari 16-vjeçar.Blendi Fevziu: Në çfarë rrethanash? Fatmir Limaj: Në një aksion gueril, në Shtator të ’98 kur trumbetohej që UÇK-ja u shkatërrua. Në atë kohë kam organizuar brenda orës aksione të pandashme guerile, në 1 orë kam pasur 15 aksione, në 15 pika të policisë serbe, për të treguar që ishim aty. Avniu ka qenë 16-vjeçar, i vetmi djalë i nënës, s’ka pasur më. Tre herë e kemi larguar nga ushtria. Në UÇK ka qenë e ndaluar të jesh djalë i vetëm e të vish në luftë, edhe jo nën moshën 18 vjeç. Plus, nëse janë dy vëllezër, njëri nuk duhet të jetë në vijën e frontit. Si rregull, jo e shkruar. Atë djalë 3 herë e kemi kthyer në shtëpi, tre herë është larguar, tre herë ka ardhur në luftë. Dhe herën e tretë është futur dhe në aksion ai së bashku me ata ka qenë edhe një 18-vjeçar, “Dinamiti” e kemi quajtur. Këto janë dy momente ndër më të rëndat.