Fjala e Prof. Shefqet Qollaku,me rastin e 1 -Vjetorit te vdekjes të Prof.Besnik Krasniqi
E nderuar familje e Besnikut I nderuar…
Të nderuar t pranishëm Ndihem shume i prekur që sot duhet të flas për Besnikun kur ai fatkeqësisht nuk është në mesin tonë. Por ndihem edhe shumë i nderuar që mu dha pikërisht mua, mundësia që të përfaqësoj sot mendimin dhe vlerësimin e merituar për të, nga një armatë enorme kolegësh, miqsh e bashkëpunëtorësh. Vlerat e një njeriu sigurisht që maten me prezencën e tij në jetën tonë , por ato gjithashtu maten edhe nga zbrazëtia qe ai lë kur nuk është me në këtë jetë. I dashur Besnik, prania jote si njeri, si intelektual, si koleg, e si shok ishte një aset i çmuar, dhe kushdo të njohu e di këtë, por edhe më shumë i kemi kuptuar vlerat e tua gjatë mungesës tënde. Na mungon modestia jote, humori yt, bisedat konstruktive për arsimin dhe nxënësit. Ishe një erudit e vizionar si Noli, e doje atdheun e gjuhën shqipe si Fishta e Naimi, ishe i rreptë e i drejtë si Konica, konciz e i dhembshur si Migjeni, i gjerë në mendime si Kadareja. Shpesh ishe një Heminguej. Fjalët e tua të pakta ngjasonin me majën e një ajsbergu. Kishte mendime të thella në to por jo çdokush arrinte ti lexonte. BESNIK! Nuk të kemi harruar ta dish, përkundrazi të kujtojmë shpesh. Portreti yt fisnik, shpesh na shfaqet i mbështetur diku. Ndonjëherë na duket se të shohim duke ngjitur shkallët me ditar në dorë. Nuk mungove asnjëherë në punë, përveç ditës kur u desh të mungoje përgjithmonë. E deshe fort profesionin. Aq shume e deshe sa nuk e tradhtove në asnjë kohë e për asnjë arsye deri në frymën e fundit kur sëmundja e ligë të ndau prej tij. Përkushtimi yt është amanet për të gjithë ne. Një amanet që na kumbon në mendje dhe vazhdimisht na porosit Që të bëhemi një qiri Të bëhemi një dritë të bëhemi një vezullim një shpresë, një frymëzim Të bëhemi një Mësues i madh përgjithmonë Të bëhemi ashtu siç ishe Ti MIKU YNË! Nuk do të them sot “I paharruar qoftë kujtimi yt” Por do të kumtoj atë për të cilën të gjithë jemi të sigurt – I PAHARRUAR ËSHTË DHE DO TE JETË PERGJITHMONË KUJTIMI PËR BESNIKUN!/qendrapress.com/