Fjalimi Kryetarit Shaqir Totaj, në përvjetorin e Lidhjes së Prizrenit:

Sot, nuk jemi këtu vetëm për të përkujtuar një datë. Jemi këtu për të nderuar një betim që është bërë në këtë qytet, në këtë truall të shenjtë – betimi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.
Në 10 qershor 1878, burrat e kombit u mblodhën në këtë qytet për t’i thënë botës: “Ne jemi shqiptarë, kemi tokën tonë, gjuhën tonë, kulturën tonë dhe nuk pranojmë të copëtohemi.”
Ata nuk kishin as mbështetje ndërkombëtare, as resurse moderne – por kishin një gjë që vlen më shumë se gjithçka: ndërgjegjen kombëtare dhe guximin për të vepruar.
Lidhja e Prizrenit nuk ishte vetëm një organizim politik – ishte zgjimi i identitetit tonë, projekti i parë strategjik për bashkimin e shqiptarëve, një ngjarje që i parapriu dhe frymëzoi pavarësinë, lirinë dhe vetë ekzistencën tonë si popul në këtë pjesë të Europës.
Por pyetja që duhet t’ia bëjmë vetes sot, në këtë 147-vjetor, është:
Çfarë do të thotë sot Lidhja e Prizrenit për ne?
A do të mbesim vetëm në përkujtim e fjalime, apo do ta shndërrojmë atë frymë në veprim konkret për të ardhmen tonë?
Sepse sot, ashtu si atëherë, përballë nesh kemi sfida të mëdha:
• Kercnimet ndaj identitetit tone kombëtar përballë globalizimit,
• rrezikun e harresës historike te brezat e rinj,
• moskujdesin ndaj trashëgimisë sonë shpirtërore, kulturore dhe teritoriale
Sot Lidhja e Prizrenit na fton jo vetëm të jemi krenarë për të kaluarën, por të jemi të përgjegjshëm për të tashmen dhe vizionarë për të ardhmen.
• Na fton të jemi faktore të zhvillimeve rajonale, e jo spektatorë.
• Na kërkon të punojmë për bashkimin shpirtëror, kulturor dhe ekonomik te kombi
• Na obligon të ndërtojmë një shoqëri
o që i ruan rrënjët, por sheh larg,
o që i mbron vlerat, por ecën përpara,
o nje shoqeri ku bashkepunimi si factor determinues ekzistencial zevendeson ndjenjen e vetmjaftueshmerise
Lidhja e Prizrenit nuk është vetëm kujtesë – por është busollë. Prizreni duhet të jetë vendi ku përfaqësuesit politikë të shqiptarëve mblidhen jo vetem në pervjetore, por për të krijuar vizion, strategji dhe për t’i dhënë frymë të re projektit kombëtar në kushte moderne
Dhe kjo barrë bie mbi ne – institucionet, intelektualët, udhëheqësit lokalë e qendrorë, mbi çdo shqiptar që e ndien veten pjesë e këtij kombi.
Prandaj sot nga Prizreni, zemra historike e kombit, dua të përcjell një mesazh të qartë:
• Le të mos jemi vetëm trashëgimtarë të historisë – por të bëhemi autorë të saj.
• Le ta mbajmë gjallë Lidhjen e Prizrenit – në ide, në frymë, në vepra.
• Le ta bëjmë Prizrenin – jo vetëm qendër të kujtesës kombëtare, por edhe pikënisje të çdo projekti të madh kombëtar.
Lavdi brezave që e nisën këtë rrugëtim!
Nder dhe përgjegjësi për ne që duhet ta vazhdojmë!
Ta duam Prizrenin si simbol i unitetit!
Ta respektojme Lidhjen si frymë e përjetshme!