Forca e Sigurisë së Kosovës, vazhdon të sfidohet nga keqmenaxhimi –Shkruan;Hisen BERISHA,Deputet
Një ushtri funksionale dhe mirë e përgatitur është shtyllë e një shteti sovran, dhe çdo mangësi në këtë drejtim i shton pasigurinë qytetarëve dhe dëmton reputacionin e vendit tonë. Sa i përket furnizimit me ushqim, një administrim efikas është thelbësor, duke qenë se këto shërbime ndikojnë drejtpërdrejt në moralin dhe shëndetin e ushtarëve, përbëjnë një shqetësim që kërkon qasje të ngutshmë brenda standardeve të vendosura qoftë me analizen e ekspertëve amerikan gjatë RSSS, si dhe ligjin e prokurimit në Forcë. Problemet e vazhdueshme të furnizimit janë një tregues i menaxhimit të dobët dhe mungesës së prioritizimit të nevojave bazë të FSK-së. Këto vonesa e nënvlerësojnë përkushtimin dhe sakrificën që ushtarët tanë bëjnë çdo ditë në përgatitjet për të mbrojtur vendin. Po ashtu, rekrutimi i stafit të ri është proces i rëndësisë determinues për të përmbushur kapacitetet operacionale të FSK-së. Vonesat në këtë proces rrezikojnë të zbehin qëllimin kryesor të FSK-së dhe lënë vend për shqetësime lidhur me efikasitetin dhe profesionalizmin e forcës. Institucionet përgjegjëse duhet të trajtojnë rekrutimin si prioritet kombëtar dhe të sigurohen që të plotësohen të gjitha pozitat e nevojshme në mënyrë të drejtë dhe transparente. Përveç kësaj duhet të avansohen në nivel të standardeve bashkëkohorë ndërkombëtare të NATOs – kushtet e shërbimit, që kan ndikim kyç për mbajtjen e personelit në Forcë. Është momenti që udhëheqësit qeveritar të dëshmojnë se janë të përkushtuar në mënyrë të vërtetë ndaj ndërtimit të një force moderne dhe të qëndrueshme, duke u përqendruar në investime të përgjegjshme, rekrutim të shpejtë kualitativ që e mundëson konkurenca kuantitative, dhe një menaxhim të qëndrueshëm të burimeve. Këto përmirësime janë të domosdoshme për të siguruar një FSK të denjë, e cila mund t’i përgjigjet me dinjitet dhe profesionalizëm çdo sfide të sigurisë humane apo të shkaktuar nga natyra./www.QendraPress.com/