Forcat gjermane në Kosovë paralajmërojnë rrezik për përshkallëzim të situatës në Veri 

                          Udhëheqësi i kontingjentit gjerman të KFOR-it, kolonel Egon Frank, la të hapur mundësinë e përshkallëzimit të situatës në vazhdën e tensioneve të përtëritura në Kosovë.“Ekziston një rrezik i përhershëm që situata e sigurisë të përkeqësohet në periudhën më të shkurtër të mundshme”, tha ai për televizionin gjerman “Welt”.Frank tutje sqaroi se në veri të Kosovës ekziston një nivel i lartë i zhgënjimit për situatën e përgjithshme. Kjo gjë, sipas tij, krijon një bazë për përshkallëzim të mundshëm dhe cytje të dhunës. “Përveç kësaj, populli në veri të Kosovës përdoret “si instrument i ndikimit serb nga aktorë të ndryshëm””, shtoi Frank.Koloneli gjerman garantoi se operacioni ushtarak ndërkombëtar i udhëhequr nga NATO, KFOR-i është obligativ “për sigurimin e paqes dhe stabilizimin e situatës në terren”.Në anën tjetër, KFOR, me mision ruajtjen e paqes dhe sigurisë, pas zhvillimeve të fundit në veri të vendit, thonë se po vëzhgojnë nga afër zhvillimet.Nga KFOR nuk janë deklaruar nëse do të ndërhyjnë për heqjen e barrikadave në veri ose jo, edhe pasi kanë kaluar katër ditë që nga vendosja e tyre nga serbët lokalë, mirëpo, theksojnë se janë në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in.”KFOR vazhdon të jetë jashtëzakonisht vigjilent dhe plotësisht të aftë të implementojë mandatin e saj të OKB’së për të mundësuar një ambient të sigurt dhe liri të lëvizjes për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë. Kjo përfshin patrullat e zgjeruara në veri të Kosovës, në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in”, thuhet në përgjigjen e KFOR-it për Reporteri.net.