Fryma artistike e së mërkurës me shkrimtaren;Rovena SHUTERIQI

Më digjet shpirti

                     Më djeg sot ky shi i ftohtë. Edhe pse mbaj çadrën të hapur, shigjetat e rreshjeve mundohen të prekin dhe vendet më të skajshme dhe më fshehta të kurmit tim. Është e kot të mbrohem nga këto sulme të padëshiruara. Fluturoj tej ombrellën dhe braktis njëkohësisht shpirtin, duke i dhënë mundësinë të laget i gjithë, e nëse dëshiron, le të shpërhapet ngado, si një mjegullnajë e pakapshme drejt të panjohurës. Vëzhgoj me sytë kureshtarë përreth për ngjarjen e radhës. Trupin nuk e ndjej më, thua se forca të mbinatyrshme e kanë gozhduar mbi stolin e qullur. Duart rrinë të pafuqishme, lëshuar drejt tokës që bulëzon nga rënia e shiut. Këmbët puthiten fort dheut, duke dashur të ekuilibrojnë të gjithë gjendjen emocionale. Mjegulla përhapet herë me ritme të shpejta duke rënkuar, herë me ritme të ngadalta, duke fëshfëritur ndërmjet gjetheve që ende qëndrojnë të pathyeshme mbi degët e pemëve. E gjithë kjo skenë më ngjan sikur drejtohet nga dy dirigjentë të ndryshëm, të cilët hahen në mes tyre, që simfonia e çdokujt prej tyre të dëgjohet, apo të mbizotërojë më shumë hapësirat e akustikës. Ndihem pezull mes dy botëve që grinden për të më futur në kujtimet më të fuqishme, si ato të hidhurat, po ashtu edhe ato më të ëmblat, më të hareshmet. Pa kuptuar, një piskamë çjerrëse ndjej të gufojë gjoksit tim, duke shpërthyer si uji me furishmërinë e tij nëpër digat hidrocentrale. Pelin rrodhi duke çliruar çdo pore të trupit tim të cilin ia dorëzoj shiut këmbëngulës, i cili ka kohë që bie pareshtur. Shkundem e gjitha nga drithërimat elektro shok të provokuara nga pushtimet e kujtimeve, dhe filloj të vrapoj duke shpërndarë bardhësinë e mjegullës në shumëllojshmërinë e ngjyrave të natyrës perfekte.

Në kujtim të atyre, që lanë gjurmë të paharruara në jetën time.

/www.QendraPress.com/