Fryma poetike e së mërkurës me poeten:-Rajmonda Qose SHKOPI
NA ISHTE NJËHERË….
U thanë hardhitë.
Pjergullat, si ushtarë dezertorë ,
u shtrinë me fytyrë përtokë.
Trari i shtëpisë mezi qëndron në kēmbë,
Përpëlitet vetmia,
Mërmërin ndër dhëmbë.
U ndryshk dryni ,
prej lotëve të kurbetit.
Menteshat dhe dyert kërcasin ,
si brinjë të thyera,
Hiri i oxhakut muret ka veshur,
Me mjegullën e kujtimeve të vyera.
Nuk merr më frymë shtëpia e vendlindjes,
Avash-avash po kthehet në gërmadhë,
Si kufomë që mbi tokë dekompozohet,
Ndërsa nesër, brezat do tregojnë për të,
Na ishte njëherë,
siç rrëfehet një përrallë.
/www.qendrapress.com/