Fryma poetike  e së dielës me poeten;-Ajne IBËRHYSAJ

DO T`I LUTESHA ZEUSIT!

————————————-

Shpirt!

Ti rrokullisesh me gjithë frymën tënde mbi një pikë loti

Vlon e digjesh në këtë botë frymënxirë

Të heshtur në sytë e zjarrtë të Etnës

Qëndron krenar si vet qielli i pa anë

Përdridhesh, puth çdo cep të trupit mëkatar

Vetëtin si flakë Prometheu, ndritë kupën e errët

Ringjallesh nga etja e rrezeve, vjen si fllad mëngjesi

Ngushëllon, mëkaton me perënditë

Dehesh me kripen e epshit.

Penelope pamposhtur, harlisur, shigjeton bebëzën e syrit, vret

Ti asnjëherë nuk bie në tokën e akullt

Mëkatin e pikturon me lot Dielli

Rrokullisesh, ledhaton përmallshëm gjithë natën e pafund

Kur ikën, pas le aromën e Herës, flakën qe vlon brenda teje

Ti mbetesh Itakë brenda meje

Ti qëndron krenar si zjarr i pashuar

Rikthehesh përmotshëm rizgjon sharmin pjellor

Etjen e Itakës asgjë nuk e shuan

Për ty shpirt!

Do t`i lutesha Zeusit

Të bëhesh lot dielli në sytë e mi!

/QendraPress/