Fryma poetike e së dielës me poeten; Arjana Fetahu GABA
Ky qiell gushti
——————————
Ky qiell gushti e mban një të fshehtë ,
Ndoshta ja ka thënë vetëm erës,
Ajo vjen vërdallë duke shuar të nxehtë,
Të marrë nga ditët e verës.
Ma tregojnë zogjtë tek I shoh në tufa,
Që turren qiellit e grisë humbasin,
Unë me ta asnjëherë nuk u zura,
Nuk di se ç’kanë që s’më flasin.
Ky shelg që shkundet ende pa u zverdhur,
Sikur I përcjell e u thotë ca lutje,
Ndoshta dhe ai e vret mendjen si unë,
Përse e kanë me kaq ngutje ?!
Atij I vjen keq që s’do ketë cicërima,
Dhe pak më shumë për një pranverë të vonuar,
Çuditërisht na ndodh shpesh të gjendemi,
Në gjëra që i ndjejmë pa kuptuar.
/www.QendraPress.com/