Fryma poetike e së dielës me poeten;-Barie ÇUPI
Në kërkim të asgjëje
———————————–
Tek qëroj ditët brenda pikës së lotit,
një mall griset fletësh e ndërron kalendarë,
udhët e lodhura janë holluar prej motmotit,
një jetë…
pakëz diell,
pakëz ajër,
për pak shpirt,
në vend të mushkërive,
xhingla verbuese që thyejnë frymëmarrje.
…një lëmsh ngjarjesh i rrëzohet çastit kilometrik,
ndërrim datash ,
pëshpëritje shqisash,
kujtojmë veç ndarje,
ngucur buzëqeshjesh të krisura,
gojë të liga e thashetheme të stisura,
fate të vockla i mbështillen një urimi që mbetet fisnik.
Gëzuar!…shkoi dhe një vit,
me ata që sapo kanë lindur,kemi ndryshuar distancat,
me tjerë bisedash të kripura,
lëkurëtrashur,
dhimbjesh e fjalësh përplasur,
…tani më shumë mendojmë,
më pak ndiejmë,
vitesh në zbritje mbetemi dënuar,
sërish një malli pa kushte i themi na prit…
mall që mbetet i përmalluar,
sikur dita e fundit që niset me ik,
mes fishekzjarrësh shpërthejnë ylber,
zemrat ngadalësojnë rrahjet,
jo më e njëjta kohë,as e njëjta melodi.
Syqeshur,
buzërreshkur,
arreduar pamjet,
ndërruar veç numrat,
plasaritur gotash,
për pak shëndet,për pak dashuri,
në kërkim të asgjëje,
kushdo e gjithkush…fasadash si gjithmonë,
sërish mëngjesesh
të rinj,
të pleqëruar,
gdhirë në vetmi,
pa rregulla,pa faj,pa rëndësi…
www.QendraPress.com/