Fryma poetike e së dielës me poeten;-Barie ÇUPI

Brenda unit…

———————–

Ngadalë,

shpërthen nga unë fjala,

eshtrave të jetës i mblodha format e saj,

gërmat më shkërmoqën të tërën,

qënien time prej njeriu.

Si zë që godet mes resh,

njoftohen dhe të vdekurit mes yjesh,

…një sy i tretë qëmton botën brenda unit.

Në këtë Univers të ndarë në copa,

gjuha si simbolikë bashkudhëton,

si e vetmja që lyp shpirt,

e i përulet kuptimit,

…nuk mund të jesh kurrë vetëm me veten.

Në sekonda hulumtimesh,

ç’kodifikojmë njohje,

në pikëza uji,

shuajmë etje mendimesh,

rrëshqitshëm nëpër kapilarë,

perceptimet kthehen në avuj,

…ku fshihen imazhe.

Në fole hapësirash,

edhe ajri i atyre që nuk shihen,

…ADN e pavdekshme jemi.

Dëgjojmë pëshpëritje,

frymëzim apo vërtetësi,

brenda nesh ekzistencë,

mall gërmash në thellësi,

…ndërsa shkërmoqjet zgjojnë nënvetëdije.

/QendraPress/