Fryma poetike e së dielës me poeten; -Behare Daja KASA
PËR TË GJITHA KOHËRAT QË NUK KTHEHEN MË
———————————————————–
Kur mendohesha për ditët që kishin ikur,
Për orët që kaluan bosh,
Për çastet e tejmbushura me trafikun e shpirtit,
Për të gjelbrën me njolla të verdha,
Për diellin përgjysmë në eklips,
Për stinët e kalbura të vitit,
Nuk kisha kohë të planoja ditët që do të vinin,
Nuk kisha kohë të rreshtoja gabimet e bëra,
Nuk kisha kohë që vlerave
t’u shpërndarja fletëlavdërimi,
Se fundja, ç’më duhej?!
Thjesht për të pasuruar CV- në time personale
Dhe për ironi, që të tjerët të besonin mundimet e mia,
Duhej edhe një firmë e një vulë e njomë nga noteri
E të gjitha bëmat e mia,
Të rreshtoheshin si ushtarët në prapavijë
Në fletën e bardhë të jetës,
Në pritje të urdhërit për sulm.
Dhe atëherë,
Të gjitha ditët e mia zemëroheshin,
Sepse unë, pronarja e tyre e ligjshme,
Menaxherja shpeshherë e dështuar e tyre,
Nuk kisha ditur t’i organizoja mirë,
Nuk kisha ditur që brengave t’ua fshija lotët atëherë kur duhej t’ua fshija,
Nuk kisha ditur që buzëqeshjet t’i qepja me fije ere,
Nuk kisha ditur
që gëzimeve t’u blija rroba të reja,
Apo së paku t’i merrja për dore
E t’u përkëdhelja kokën ashtu siç fëmijëve të mi
Dhe t’i shëtisja në parkun e bukur të qytetit tim të vogël,
Të ulesha në kafenenë e tij,
Të mbyllja sytë e përreth të mos shihja asgjë veç tyre
E t’i qerasja për vlerat që kishin.
Të gjitha ditët e mia jo të mira që nuk kthehen më,
I vesha me kostumin e vargjeve të thyera,
Sepse rimat nuk më putheshin,
Nuk më kryqëzoheshin
Nuk më përmbylleshin,
E as më rimonin përbrenda,
Sepse tërë jeta është një varg i thyer në monokolonë
Ku edhe pikësimi bie ndesh
me rregullat e drejtshkrimit e me vetveten.
…por fundja, rregullat janë edhe për t’u thyer…
/www.qendrapress.com/