Fryma poetike e së dielës me poeten:-Blerina BEHARI
ME PELQEN TE SHKRUAJ
—————————————-
Më pëlqen të shkruaj pafund
dhe jetën ta hedh në vargje.
Më pëlqen që jeta të lindë
pa dëshpërim, vuajtje e qarje.
Më pëlqen poezinë ta kem në buzë,
çdo njeri ta shndërroj në muzë;
më pëlqen çdo pasion në netë lumturie,
ta shndërroj në poemë dashurie.
Më pëlqen elektra e shpërbërë
në mijëra copëzash dëshirash:
e hedhur në shkronjëza pafund
në medalione të etura hapësirash.
Më pëlqen të pasqyroj agimin e ditës
në medalionin e hënës së praruar.
Le të ndriçojnë mendjet e njerëzve
të shkruar nga dor‘ e bekuar !
Më pëlqen të shkruaj për universin
me misterin e tij që na mbulon.
Më pëlqen imagjinata ime,
reales gjithmonë ia kalon.
Dhe mbase shumë nuk do t’më kuptojnë
por e tillë dua të mbetem gjithmonë:
në zemër të kem dashurinë
e gjithë njerëzve që më rrethojnë.)
/www.QendraPress.com/