Fryma poetike e së dielës me poeten; Flora MEÇAJ
Plagë që pikojnë
———————————–
Nuk ikën nga ti, dheu im
ata…të skamurt, të lodhurit
dhimbjet i mbërthyen me gozhdë
mbi shpinën e kërrusur.
Shpresa e gënjeshtërt deri në eshtra u shkoi.
Po nuk ikën në arrti të gurëve,
të baltës, të rrëzimit, të humbjeve …
Duart lidhur fort
me besën e numërimit të kafshatës,
copës së bukës racion
sajuar një mal i vocërr sheqeri
tretur kotheres si borë.
I luten Tejetlartit me duart e rreshkura
t’i ndihmojë.
Fytyra e pëllëmbëve zgjatur
deri në fund të së paprekshmes.
Qielli ngopur nga gjunjëzimi i lutjeve,
hapat e varfërisë mbetur gjurmë e baltës së regjur,
shkelur nga copa hallesh ndër udhë,
plagë baltosur e rrokullisur në hone.
Po besnikët e varfërisë nuk ikën
e skamja me sytë e uritur bërtet në heshtje:
U bëftë ky vend,
por…, mos pastë fytyrën time!
/www.qendrapress.com/