Fryma poetike e së dielës me poeten;-Hatixhe Çollaku ADEMAJ
Bukë e re
——————————————
Është korrik e kallzit janë pjekur
Xixëllonjat bukën e re lajmëruan
Në zemrën kahmoti të plluguar
Brazdave farë gëzimi, pikëllimi, shprese mbollëm
Damarët me lëng lulëkuqesh i kanë ujitur
Digëpritat e jetës gjolet mbushën
Po gruri në stinëmote
Ngricave, përmbytjeve u përballoi
Sot kokëulur kallirët farëplotë qëndrojnë
Si njerëz përkulur ndaj të Zotit madhështi
Po
Ka dhe kokëbosh që kokëlartë qëndron
Ka edhe egjër që bukën zeheron
Po është korrik
Në mullirin e mendjes
Barra e gurit të vuajtjeve
Miellin e shkrifton
Zhveshur bardhësia
Në sofrën e jetës
Gatuar e tëholluar
Bollëk ndjenjash shtron…
/www.qendrapress.com/