Fryma poetike e së dielës me poeten;- Irena DRAGOTI

Në këtë vend…

———————————

Gratë e moshës sime si një stinë e arrirë

mëngjesesh pulsojnë zemrës, sipas zërit

Në trafikun dy përmasësh,

mbi hartën e pagjumësisë

kafshojnë buzësh në vetmi

vargjet e një kënge nga atdheu

Shpërthyese si aroma kolumbiane e kafesë

tek lexojnë tabelat e çmimeve të naftës

kujtohen për rrudhat që panë mes vetullash

dhe një pluhur harrese hedhin mbi mallin

Gishtërinjtë ju qajnë nga lagështia

copëza kujtimesh zemrën ju thinjin

hapja e saj është e ndaluar

në një vend ku dimensione shpikin

Gratë e moshës sime,në këtë vend

ku koha rend si maratonomak

marrin trokitje duarsh të panjohura

si parin e ditës hapin në errësirë

dhe e ulin natën

Gratë e moshës sime,në këtë vend

përdorin fjalët për të menduar

harresën që të flasin

shpresën mes duarsh shtrëngojnë fort

si një vazo antike dhe e kristaltë

që tmos e thyejnë…

/QendraPress.com/