Fryma poetike e së dielës me poeten;-Irena Kuka DRAGOTI

Dua gjurmë, të jem e nesërmja…

—————————————–

Nuk kam histori.
I hodha të gjitha:
radion Iliria,
furnelën me vajguri…
Shkula pemët shumëvjeçare,
rrëzova banjën prej qerpiçi…
Sa pak më ka mbetur…!
Muret e gjysmës së shtëpisë,
ato të gurtat me breza druri;
guri i ashpër te çezma
dhe shënimet që mami
gdhendte në mur.
Veç ato më flasin
për një kohë që ikën…
Më vegojnë kujtimet,
që pa shkruar mbetën.
Ca foto të vjetra bardhë e zi,
më enden duarve si sende të vlera.
Kam pak histori për të treguar!
Sikur një peme familjeje të mos i përkas…
Tani kërkoj ato nallane të drunjta
me rripa të sertë lëkure,
që babai i punonte fundjavave.
Nuk kam histori, por kam mall.
Kam shumë frikë nga harresa.
Frikë pafund dhe nga humbjet kam.
Kërkoj gjurmë nga e shkuara,
të jem e nesërmja…

 /www.qendrapress.com/