Fryma poetike e së dielës me poeten;-Margarita Llapushi ZENELI

Baba dorën s’ma lëshove…

(Elegji)

Baba seç mu bëre ëngjëll

më thave shpirt edhe zemër,

në buzë më trete fjalë

syve ju këpute mallë!

Baba ike përmbi re

hidhi sytë këtej nga ne,

mos harro të vish një natë

t’më qetësosh gjumin e ngratë!

Baba për ty mu dogj xhani

larg të kam ,më merr shumë malli,

ah dy fjalë të mi dërgoje

“të keqen babi “, të më thoje!

Baba dorën s’ma lëshove

me ty t’rrija , sa shumë doje,

afër erdha të qëndrova

sy e ballë t’i ledhatova!

Baba në krahë kur të mora

u çel zemra nga aroma,

sa desha të të mbaj gjatë

përjetësisht t’kisha dhuratë!

Baba ujë mali më kërkove

shpejt u ngrita e ta dhashë

buzëqeshe , sytë mi hodhe

lotin fshive , unë e pashë!

“ Baba shpirt ,o yll , o dritë

shkove lart te perënditë,

hidhmi sytë e më shiko

të mbaj në mendje o zemëro”!

Baba pres t’ më vish në ëndërr

të më përkëdhelësh zemrën

si dikur kohë e pa kohë

pres .. shpirtin ,zëri yt të më ngrohë!

/www.qendrapress.com/