Fryma poetike e së dielës me poeten;- Mira Zaho MËHILLI

E M B L E M Ë

—————————

Shekujve, rrjedhës së historisë,

pafundësisht emblema gdhendur,

në përjetësi ekzistenca e tyre.

Imazhe të vërtetash a trillimesh,

deshifruar prej ndjelljes

së imagjinatës së shfrenuar.

Në trupa qiellorë, figura kafshësh,

shpendësh a lulesh,

çuditërisht në tjetërsim

prej mosekzistencës së tyre,

në kotësinë e vet rafinuar.

Aq shumë të dëshiruara,

në vegime ëndrrash,

me të drejtën e qenësisë

a me forcën e mizorisë,

njerëzimin për të sunduar.

Emblema të panumërta,

shpirtit, me shenjtërimin e frymës,

që Perënditë krijuan e bekuan.

Emblema që në trashëgimni

brezash gdhendin përjetësinë,

shtojnë e pasurojnë qenësinë

e genit e me dritësim,

u japin shkëlqimin në rrugën

e ekzistencës së tyre.

Emblemë e gjakut të trashëguar,

përherë e për çdokënd,

në identifikimin që hyjnitë

mjeshtërisht shpirtit

gdhendën e shkruan…

/www.qendrapress.com/