Fryma poetike e së dielës me poeten;-Mira Zaho MËHILLI

Plaku i moçëm
————————–
Me ëndje e dëgjonin,
prej tij mend kërkonin.
Urtësisë, i moçmi plak,
rrëllëherë fliste,
mençurisë së tij,
ligësitë godiste.
-Ç’është miqësia? –
e pyetën një ditë.
Mendimit përhumbur,
çark vetullat ngriti,
mori frymë thellë,
diç mërmëriti.
Gëzim e trishtim,
syve iu rrotullua,
kruajti zërin,
zu të flasë shtruar:
-Me peshë fjala miqësi,
mirë do shoshitur,
rrëmbyer ndodh, që
si mik dikush të afrohet,
të mbin në derë si drizë,
për ty përgjërohet.
Këta mendjeshkurtër,
syerrur të shikojnë,
dorën të shtrijnë,
shtirur të përqafojnë.
U duhesh shumë,
që ison t’u mbash,
për interes në lumë,
si karrem të të hedhin,
gështenjat nga zjarri,
me duart e tua të nxjerrin.
Shkon koha, pa e kupton,
si nis’ e mjera miqësi,
ashtu mbaron, kur shohin
se kanë humbur davanë,
me bisht nën shalë,
hiqen mënjanë.
Po, kur shtruar,
miqësia në zemër troket,
të bëhet mburojë,
ndihesh me kismet.
Kajmak i shoqërisë,
miqësia e vërtetë,
ta zbukuron jetën,
e shijon tërë lezet.
/QendraPress/