Fryma poetike e së dielës me poeten;-Neviana SHEHI

14-ta

———————————

Fshati në breg të liqenit

ka vetëm një kishë të vobektë

dhe 13 shtëpi prej druri

shtëpia e14-të u prish pa mbaruar mirë

nga dallga që erdhi befas nga errësira

13-të shtëpitë e vjetra panë

se si dridheshin kulmet e fatkeqes

dhe shtrënguan njëra tjetrën gjithë frikë

Është e qartë që askush

nuk u habit edhe kësaj here

kur bëhet fjalë për një mallkim

të kësaj natyre

S’ mbetet veçse të tundim kokat

dhe të përgatisim veten për ato që priten

Ka disa forca të zeza përreth nesh

të cilat nuk mund të rrinë dot

pa shpallur kredon e tyre

Fshati në breg duhet të kishte vetëm 13 shtëpi

dhe kurrë 14

Debatet e mëvonshme mund të sjellin

informacione të tjera

por ato nuk besoj se do na thonë ndonjë gjë të re

dhe në këtë rast numri 14

mbetet pak shqetësues…

/www.qendrapress.com