Fryma poetike e së dielës me poeten;-Rudina Muharremi BEJA
VENDI IM
—————————
Shkova larg teje vendi im i hyjtë
një copëz zemër, ende me Ty rreh
Ti madhështor shfaqesh përballë detit
udhëve e kalave historinë e fsheh!…
Ti vend i begatë erërash përkëdhelur
Ti djep që përkunde ëndrra pa fund
buzë detit me valën sa hapa kam hedhur
parfumin ta ndjej që më ndjek gjithkund.
Bujtin në Ty zbrazdësi e psherëtima
fytyra të vuajtura lodhur pagjumësive
trumbetojnë mburrjet, ankthi lemeria
mpihet buza nënës, në gji thinjet fëmija!…
Mbi kurmin tënd shkëlqen historia
shi meteorësh e lumenj të përshkojnë
emrin të pa cënuar ta ruajtën kalatë
e kodrat në ethe që dhimbjesh drithërojnë.
O tokë e shkelur, e vjelur, e vjedhur
O etër, o gjyshër që përkëdhelët flokët e mi
O qiell që ylberë sërish di të dhurosh
Bëmëni një vënd në Tuajin gji!
//www.qendrapress.com/