Fryma poetike e së dielës me poeten;-Shyrete DEMAJ

Epokë gruaje.
———————
Kur lindi ajo, çeli mimoza,
nuk pyeti për dimër
se pranverën kishte në shpirt…
Vetëm,
siç çel një lule e vetme në shkëmb
që mban mbi shpatulla
barrën e jetës gjersa të bëhet
farë vazhdimësie…
Kohën e kishte fat,
erën e kishte histori,
ajo ishte vetë era e re
që nuk bëhet kurrë e vjetër
që mban në gji si aromë
legjendat e mijëvjeçarëve
Erë lule mimoze
që çel pas çdo viti
me ngrica shi e stuhi
Erë që vjen
si këngë vaji,
si këngë dasmash ,
si këngë bilbilash
Erën e kohës që sjell
një grua erëmirë,
erë stuhie,
erë dashurie,
erë vazhdimësie
siguron gjithmonë farën
të mbjellim arën…
Jetojmë në kohën “erë gruaje”
që mbajti si embrion epokën
“para erës sonë”
Erë gruaje
Erë nëne
“Era jonë”
/QendraPress/