Fryma poetike e së dielës me poeten;-Teuta BIÇAKU

Jetëvdekjet

————————

Kam jetuar shumë vdekje të miat

ato që padashje gërryejnë në shpirt gropa,

edhe pse fillimisht të bëjnë të ndihesh e lehtë,

aq sa mund të të mbajnë hopa.

Hapi i parë m’u duk çuditërisht vdekje,

shpirti m’u thye në mijëra copa,

kuptova se mund të shkel padashje

krijesa të mpita, të vogla.

Fjala e parë, bukur tingëlloi në veshët e mi,

u dehën nga lumturia ata që mezi e pritën.

Por, pakuptuar më bëri rob të sajin

kur doli pa menduar, buzëve pa iu bindur.

Kur lugën për të parën herë e lumtur,

futa në gojë me duart e mia,

nuk di pse m’u faneps si arkëmort frika

se një ditë do të vdisja nga pangopësia.

Kur rrëfenjën e parë të bukur,

sajova me plot fantazi,

u shkreha padashje në vaj,

se kuptova që shisja iluzione

për të vëmendshmit, dëgjuesit e mi.

Suksesi i parë më joshi, më dehu,

fluturova si mbi re drejt skenës plot shkëlqim,

kuptova që padashur u verbova,

nuk pashë kush udhëtoi me mua shkallë pas shkalle me durim.

Do të vazhdoj të eci mes vdekjeve të mia

që do të rriten e thyhen njëherësh si lisa me kërcëllima,

deri sa të kuptoj se jam një gërvimë në zemër të tokës

dhe një pëshpërimë në kupën e qiellit plot ushtima.

/www.qendrapress.com/