Fryma poetike e së dielës me poeten;-Vjollca ALIAJ

Në stacionin e parafundit
————————-
Akaciet më nuk janë,
në stacionin e parafundit
kokën kthej me përtesë
në vendin
ku tashmë beton kanë mbjellë.
Ndiej shushurimën,
kujtimi tingëllon pranë veshit
në errësirë, i gjallë.
Hijet u ngjajnë përbindëshit në përrallë, nxitoj,
S’ka aromë lulesh të bardha,
petale shkundur mbi flokë,
buzëqeshje,
puthje plot epsh,
mbështetur në trung,
E ftohtë, e rëndë errësira
pas portës.
Drita të zbehta
zbulojnë ndryshkun mbi metal…
Nata mbetet pas,
përplasjen ndjen fytyrës,
fajtore për akaciet e prera pa mëshirë.
Zemërimi i detit mbi beton
pas dritares i zbehtë hyn.
Këngët e lokalit
në stacionin e parafundit
i bëjnë shoqëri.
/QendraPresss/