Fryma poetike  e së dielës me poeten:Lulëzime MALAJ

Kur u martove ti…

———————————

Atë ditë që ti u martove si mund

ta harroj? Ishte një e diel shtatori.

Si dhuratë të nisa një uragan me shi,

ç’gjeti udhëve përpara e mori!

Ti s’më ftove. Unë të mirëkuptova.

Por nuk mund të rrija pa të parë

kur në kishë ti vendosje asaj tjetrës

unazën në gisht me premtim në altar.

Doja të shihja kur t’ia ngrije vellon,

mos kërkoje në sytë e saj sytë e mi

dhe kur ta puthje në buzë, në ballë,

do imagjinoje se ishim unë dhe ti?

Unë hyra e fundit në kishën plot njerëz,

gjithë të ftuarit më ndoqën me habi,

por s’doja t’ia dija se çfarë llomotisnin,

mjafton të mos më shihje vetëm ti!

Dhe erdhi momenti t’i vije unazën…

çudi, ktheve kokën ku rrija engjëllore,

dora të ngriu, unaza ra me tingull,

unë renda nga dalja me vrap si fajtore.

Dhe ti rende mbas meje të më kapje,

unë erë u bëra, gulçoja rrugës, tutje,

por më arrite, krahëve më mbështolle

dhe gojën ma mbylle me puthje…

/www.QendraPress.com/