Fryma poetike e së dielës  me  poeten;Rajmonda Qose SHKOPI

Lumi i ëndrrave

————————

Lumi i ëndrrave

kapërcen bregun e gjumit,

si i hazdisur del shtratit.

Varkën,

ku shpirti lundron,

e rrëmben me duart e gjata,

dhe s’ka forcë ta ndalë,

kësaj nate

që yjet varur si prozhektor i rrinë

tavanit qiellor,

ndërsa një erë klith si e marrë..

Sa e vogël ndihem para kësaj stuhije,

që më shtyn drejt një drite si fanar

me ngulm kërkon

varkën ta ankoroj aty,

ku ti më pret

dhe pse dimri e shtroi borën e parë.

/www.Qendra Press.com/