Fryma poetike e së dielës me poetin:-Bardhul TODA

MBI SAKSI

——————————–

U vyshk edhe petali i fundit

nga “buqeta e dhuruar”.

Tashmë kërcelli ka radhën për t’u tharë.

Farat e pa shpresë,

kanë kohë që janë zhdukur,

ndoshta që në ditën e parë

të mashtrimit vrastar.

Nuk u dëshpërova nga ikja e një luleje,

nuk u mërzita nga një vyshkje pa shkak,

ndërsa në vazon e parmakut të vjetër,

veç një nga lulet qëndron si bajrak.

E thjeshtë, pa fjalë, pa pritje për dikë,

ndan ajo me heshtjen, gjithçka për asgjë.

Mbi parvaz të vjetër hedh sytë mbi saksi,

veç baltës në vazo, asgjë s’ka më nga ti…

/QendraPress/