Fryma poetike e së dielës me poetin;-Gëzim AJGERAJ
KTHIMET E VONA
——————————-
Kur të piqet stina e vjeshta kur të ketë zverdhur
pemët ndër fusha kur të kenë mbuluar tokën
e kënga e bilbilave të jehojë ndër vërrina
Nëna, eh, nëna, rrushin kur të ketë vjelë ndër vreshta
e mbi rafte të ketë radhitur ftonjtë për nipat e largët
dardhë e mollë kur t’i ketë vënë mbi shtrojat e kashtës
strehët kur të kenë shteruar lotin e dhimbjeve
udha tek oborri të ketë humbur barit
porta të jetë mbytur ndryshkut
kur të mos na njohë më as qeni i shtëpisë
e as loket më kur nuk na presin ulur para portave
fëmijët e lagjes kur të lajmërojnë një të panjohur
kthimet tona të vonuara kur do të vijnë
të mjerët ne, sa qenkemi vonuar – nënëloke
KTHEHU!
Kthehu tek nostalgjia e lënë diku në vërrina
atje ku prehen zotat e dëshirave të tua
rishpalos një nga një ëndrrat e njoma
të lëna në gjysmë të udhës qysh kur të vodhën ikjet
kthehu në odat ku të pret vendi tek oxhaku
dhe vendi i lënë zbrazët qysh kur babai iku amshimit
as oxhakut s’ka kush t’i vërë zjarrin
plisin e bardhë e ka mbuluar pluhuri në dollap
kërruta e plakut po të pret varur nën hajat
kopshtin i shtëpisë e kanë pushtuar ferrat
kosën e hëngri ndryshku nën strehën e pikëlluar
barishtet vajtojnë mbi të për dorën tënde
deri kur kthimet tua do të dergjen nën prangat e mallit
·/www.qendrapress.com/
Fryma poetike e së dielës me poetin;-Sabit RRUSTEMI
NËN FLATRA ZOGJSH E PETALE LULESH
Një mal puthjesh fluturojnë përditë kah Ti
si zogj të etur e të përmallur
Në lumin me zjarrin më t’ëmbël të dashurisë
që brendësisë sate parreshtur gurgullon
dëshirojnë të notojnë e kërkojnë
paqen e munguar të shpirtit
Hapi krahët e brigjet që t’i rrah sall era e uji
dhe fytyrën me buzëgazin grishës çile
e sytë ku futet e fshihet një qiell i tërë
të prehen përpak
këto shtegtare ndjenjash që s’shihen
sa për ta zbutur etjen time të rreshkur
nëpër vapë e mungesa
Prej këtyre puthjeve
që rendin pas Teje shtigjeve të ajrit
një mal lulesh lulon asaj hapësire
ku prehen e deehen ëndrrat e mia
Luleputhje e zogj trokasin
petaleve Tua jeshile
për ta shijuar atë nektar mjalti
që mbështillet e shtresohet zemrës Sate
As janë zogj as janë lule
po dashuria ime e fshehur
e dashur
Nën flatra zogjsh e petale lulesh
agun e dëshirtë të zemrës presin
( 3 nëntor 2009 – 15 maj 2023 )
/www.qendrapress.com/