Fryma poetike e së dielës me poetin:-Gëzim AJGERAJ

VETËM AI E DI
———————-
Jashtë, një hije e rëndë ka zbritur mbi qiell
si një mantel i errët që dikush ka harruar
mbi supe të reve të hirta.
Qielli mban frymën pezull,
era rri e heshtur si një roje e lodhur,
dhe mëngjesi, përtej xhamit të kristaltë,
nuk ngrihet, thjesht rrëshqet,
ngjan më shumë me një kujtim drite
sesa me diell të gjallë.
Brenda tavernës alpine,
pranë një tryeze të gërryer nga shtatëdhjetë dimra,
ka zënë vend miku im,
i strukur në pallton e tij prej vitesh,
si një zog mali që i mban puplat e verës së vjetër
edhe kur bora zbret pa mëshirë.
Ai mbledh vegimet e shpërndara
si gjethe vjeshte të shirë nga era
përtej shtatëdhjet e shtatë bjeshkëve
që i ka lënë prapa katër dekada e ca mote më parë.
I merr një nga një,
i shkund pluhurin e viteve,
ua fryn heshtjen,
ua ledhaton skajet që koha i ka prerë
si gërshërë që s’pyet.
Kujdeset mos i bjerë ndonjë
në shportën e harrimit,
se udhët e gjata, edhe kur i di përmendësh,
dinë t’i mbulojnë gjurmët,
ashtu si bora mbulon vijat e shtigjeve
por kurrë peshën e hapave.
Ehh, miku im, sa mall ka thurur ndër vegime!
Në motet e tij të largëta
ai ka mbjellë kujtime
si farë gruri në arat e Vrrinit,
i ka ujitur me djersë, me dritë,
me shpresën e një dite më të gjatë se nata.
Me kosën e mallit ka kositur
fushat e bleruara të rinisë,
ka prerë barërat e hidhura të mungesës,
ka shtrirë mbi to aromën e diellit të Sharrit,
që i ngroh kujtimet edhe sot,
si drita që futet mes gurësh të kullës së vjetër
e nuk pyet për mot e për erë.
Dhe tani, i ulur këtu tek dritarja,
ai përsëri i mbledh,
i rregullon si letra të shenjta,
i palos në flatrat e mallit,
dhe me mendje i nis atje përtej,
në kullën ku i ka mbyllur herët e jetës,
si relikte të shtrenjta
të një kohe që s’vjen më kurrë
por që gjithmonë ndizet
kur syri i tij lodron drejt lindjes.
Atje, pranë oxhakut prej guri,
ku zjarri ka mësuar të flasë me gjuhë të urtë,
kujtimeve u ruhet vendi
si amanetit të një gjyshi të largët.
Ato flasin me besim,
me zë të qetë dhe të prerë,
për fjalën që nuk thyhej,
për besën që lidhej me duar të dridhura,
për njerëzit që ishin pak,
por tokën e donin shumë.
Breza të rinj vijnë e ikin,
si era që prek majat e maleve,
por reliktet e tij u tregojnë
se e ardhmja e trazuar
ka gjithmonë nevojë për një gur të vjetër
që të mos e marrë rrjedha.
Ehh, miku im…
sa halle ka në gjoksin e tij,
sa mall i endet ndër vegimet
si një re që nuk gjen kodër ku të ulet.
Shpesh, kur fytyra i humbet
nën hijen e mendimeve,
kushdo që e sheh thotë:
“Po mendon për ditët e rinisë.”
Por unë e di —
ai nuk mendon,
ai lufton me to,
i mban të gjalla,
mos vallë t’i humbin në mjegull.
Sa herë bie nata mbi bjeshkë,
ai rri e pret dritën e parë,
dhe ndonjëherë, kur yjet fikën dritat e tyre,
miku im i flet Zotit në heshtje
me zë të ulët,
si të fliste me tokën e tij të largët.
Sepse vetëm një Zot, dhe ai vetë –
e di peshën e mallit,
peshën e heshtjes,
peshën e atyre relikteve
që nuk digjen dot në oxhak
as shkrihen në duart e kohës.
Vetëm ai e di
sa plagë mbyll kujtimi,
sa plagë hap mallengjimi.
/QendraPress/