Fryma poetike e së dielës me poetin;-Gëzim AJGERAJ

Ç’PO NDODHË ME TY MALLI IM?

——————————————-

S`ka kush të të qajë hallin, malli im

Hyjnitë e besimit tënd moti dalë fare kanë

ç`po ndodhë me bijtë tu, moj Dardani!?

Dhe unë i arratisuri mallit ballëshkrumbuar për ju

Fjalëmbjellësi i arës tënde të tharë moteve pa dritë

I etur si lulja e pranverës për ngrohtësinë e diellit

ç`të të jap nga kjo vapë Alpesh e kjo arrati?

Kolonave të mallit ikje harrimet s`kanë të ndalur

Farë për arat e botës mbetëm

Si ta definojmë shkretimin e kullave të tua?

Trungu i fisit degët e shpresës i lëshoi mbi ju

Me besimin se frytin e pemës së kombit

Ka vënë në pipat e sigurta të rritës për të nesërmen

Edhe dritën e diellit të rënë pas dymijë vjetësh

Rrezen e diellit pa të cilën s`kish kuptim jeta

Ua dhamë në dorë me besimin se do të ia ruani shkëlqimin

E me dritën e saj do të ndriçojnë kristalet e së nesërmes

Po ç`po ndodhë me ty, fisi im i lashtë sa toka?

Në ç`rrënjë i ushqejnë pipat e tu të verbuar vesës

… së mashtrimit

Heu, trungu im, sa poshtë të kanë vënë degët e tua!

Ti rrënja ime e lashtë ushqe bimën me lëngun e moçëm

Mbi vesën e furtunave të së sotmeve plot mjegull

Rinngre farën e lashtësisë tënde për pipat e së nesërmes

Mos të të thyejnë erërat e acarta të mëngjeseve të turbullta

/www.qendrapress.com