Fryma poetike e së dielës me poetin; -Imer HYSA

IKIN VITET
——————
Nëse vitet që kalova do i thirrja në rresht
Shumica prej tyre më binden
Edhe ata me të cilët s’u mora vesht
As ata nga frika s’më fshihen.
Pata vite të arta, të qeta, të lumtura
Mes dashurisë veten ndjeja mbret
Siç pata vite pothuajse të humbura
Të tjerë, që jo rrallë më vunë në siklet.
Shumicës së viteve u bëra rreshtore
Vetë i drejtova si desha, majtas, djathtas
Siç pata vite si zhgarravina në fletore
Që të revoltuar më dilnin haptas.
Pata vite të lulëzara si pemët në prill
Siç pata shumë vite plot fruta vjeshte
Pata vite që ngelën memecë për çudi
Që su dhashë frymë, i lashë në heshtje.
Kalova vite pse jo, të acarta
Jo nga moti, nga njerëz pa zemër
Që s’ma linin vrapin, suleshin me të katra
Në mos kokën, të më thyenin këmbën.
Ikin vitet, nuk u’a marr merak
Vetë i jetova, qetë dhe çmendurisht
Ndjesë për vitet që u hyra në hak
Respekt për vitet që kalova lumturisht.
/QendraPress/