Fryma poetike e së dielës me poetin;-Llesh GJOKA
![](http://qendrapress.com/wp-content/uploads/2025/02/llesh-gjoka-1.jpg)
JEMI AKOMA HERËT
—————————————-
Jemi akoma herët, moti po ndryshon
Në një ditë pa erë gjithë natyra hesht
Syri kap shtëpitë me porta të mbyllura
Më jepet të bërtas fort, gjer në qiell.
Mos jam i çmendur, ku janë të tjerët të më gjykojnë?
Paqja është kjo? Veç disa kafshë gëlojnë
Mjaullima macesh, një gjel mbi kotec
Dhe boria e një benci mbi asfalt më zgjon.
Lëshon hapin me ngut një vajzë dhe sakaq zhduket
Pas lëshon makina një fjollë tymi të zi
Rrugët sërish zbrazen dhe koten nëpër mjegull
Kërkoj një adresë, me dikë të rri.
Pemët me krahë të mavijosura kërcëllijnë
Dita melankolike bëhet avull mbi qerpik
Mos jam i huaj, pa gurin tim në vatër
Rrugët ngado të zbrazura,
duket sikur thonë: Ik!
Jemi akoma herët, nuk jemi krejt vetëm
Mbi kokë flokë resh si mendime të plakura, të zbardhura
Është një garë e rihapur për të nesërmen
Sa vetë do të hyjnë?! Apo të gjthë do të dalin?!
Jemi akoma herët, mbrëmja na plandos të lodhur
Ca bujq vetmitarë kthehen prej fushës
Aroma e tokës nuk ka ardhur në vlagë
Lejlekët bëjnë shfaqje solemne brigjeve të Kunes.
Nuk ka rend lëvizjesh në rrugët rurale
Jemi akoma herët, jeta si gërdallë
Heshtja është si vdekja, s’ka kush e trazon
Sa e largët bota, këtu, në këtë mëhallë!
/QendraPress.com/