Fryma poetike e së dielës me poetin; Namik SELMANI

Fryma poetike e së dielës me poetin; Namik SELMANI

Moj vetullbardha, buzë detit

——————————————–

Sarandës, djepit kulturor të Çamërisë

Moj princeshë nga qielli ulur

Me kurorë madhështie,

Të merr fjalën ta bën pluhur

Kur nxjerr hiret mes shkëmbinjve.

Moj princeshë në brigje Joni

Në agimet dritëlara.

Ja, këtu ka nisur zoti

Bukuritë që ka Saranda.

Bota e madhe pa kufinj

Me kështjella, gurë e male

Këtu dielli bën krushqinë,

Me ullinj e portokalle.

Vetullbardha buzë deti

Ç’dorë, moj, të ka ujdisur?

Me gjithë yjet që ka qielli

Ballin-o ta kanë stolisur.

Dhe kur dhëmbët i nxjerr dimri

Dhe tufanet vijnë te dera

Ti vjen pranë si trëndafili

Çelur- në tre pranvera.

Dëgjoj zënë e lashtësisë

Nëpër dallgë pi verë amfore

Moj shenjtorja që sjell dritë

Jepna frymën engjëllore.

Kur na merr syrin dogana

Gjoksdjersitur, supelodhur.

Ti na vjen si në përralla.

Na fshin ballin e rrudhosur.

Kur zgjatojnë udhë bote

Trastëngarkuar, halleshumë

Marrim fjongon kaltërore

Nga ky breg e nga ky muzg.

Kur na mbyt një natë kurbeti

Dhe dysheku bëhet ferrë.

Dhe një gur i marrë prej deti

Bëhet diell, luleshqerrë.

&  &   &

Çamëri, o bisk i ëndrrës

Motiv popullor

————————————-

Çamëri, o bisk i ëndrrës

Si pëllumb në sup të këngës.

Dritëlarë, pragjehapur.

Sypërlotur, duarzgjatur.

Diell-o që nuk humb rreze.

Dritë e re që zbardh mëngjese.

Si dhioli për ditë kthimi

Larg, o larg, në ditë mërgimi.

.

Na pjek fiq e portokalle.

Na ndal hapat nëpër varre.

Zë më zë zgjon Osman Takën

Në një gjoks po na ndal dallgën.

Kërkon djepe dhe jorganë

E heq barin prag më prag.

Dorë më dorë mbaj gurë vatre

Të ndez zjarrin në buhare.

Nëpër degë të blertë ulliri

Trëndafili kërren gjirin.

E kërkon çibukë ode

E kërkon shtëmbat në kroje.

Shkojnë kuajt në karvane

Tringëllijnë zilet në stane.

Skuqet shega e pavjelë

Po prek ftonjtë në sepetë.

Çamëri, dritare zemre

Sillna fjalë e amanete.

Zanë Joni që prek detet

Me oitë që buzës mbetet.

Çamëri, livadh i shpirtit

Fshehur- në sklep të sirit.

Si një prehër me bajame

Na zgjon e këngë e valle dasme.

Boston, 14 dhjetor 2019

/www.QendraPress.com/