Fryma poetike e së dielës me poetin;- Nexhbedin BASHA

FLLADI I KORABIT
Poemë
——————
Nga Tirana nisa, me diellin mbi sup,
rruga më thërriste me zërin e brezave
që iknin nga lufta,
për të prekur amanetin e një jete të sigurt,
dhe çdo hap më mbante pranë kujtimeve që nuk vdesin.
Në sytë e mi mbetën dyer të hapura për Kosovën; l
ot e bukë, gra e fëmijë në hije;
hapat e tyre u bënë udhë për brezat,
dhe kujtimi i tyre mbeti flamur në liri.
Kukësi më priti si portë e gjakut dhe e shpresës.
Rruga e Kombit më solli kujtesën e eksodit.
S’harroj rrëfimin e plakut nga Kosova 99′ tën,
me lotin nën vetull:
“Ja kam bërë hallall djemtë e mi
lirisë së Kosovës.”
U ndala te pllakat e Qafës së Kolesjanit,
ku gurët flasin për dymbëdhjetë
mijë ushtarë serb të vrarë,
për fshatra të djegura, plagë që nuk harrohen,
dhe kujtimi i tyre rri i gjallë në çdo hap.
Përpara meje m’u shfaq Korabi, me kryet mbi borë,
i heshtur, por me zë të thellë,
Më foli për trimëri dhe pastërti shpirtërore,
dhe heshtja e tij fliste më shumë se çdo fjalë.
Drini më solli shushurimën e betejave,
në luftë me krajla dhe osmanë,
me kufij të vizatuar me gjak dhe besë,
ku çdo hap ruante historinë dhe nderin e të parëve.
Ai rridhte si kujtesë e lumenjve që bartin histori,
duke më përshkruar malet ku plagët flinin në heshtje,
dhe gurët mbanin vulën e trimërisë së djemve të harruar,
dhe mbi ta koha përkulet si dëshmi që nuk shuhet.
Ai pëshpëriti se Sina është djepi i Skënderbeut,
dhe u ndjeva brenda një harku historie,
ku trimëria nuk bëhet pluhur,
ku lindën burra në kulla me frëngji të njohura nga era,
dhe gra që hodhën furkën për të rrokur pushkën,
si stuhitë që përshkojnë male dhe kurrë nuk shuhen.
Çdo frymë, çdo hap i rrugës, u bë poezi
që lëshon tinguj trimërie, aty ku nisa mësuesinë,
familja Ndreu qëndron si lis që sfidon furtunat e kohës,
dhe erërat e maleve pëshpëritin emrin e tyre.
Në kodrat e Sllovës flet me gjuhën e trimërisë,
Brigada e Tetëmbëdhjetë Sulmuese u
kthye në një rekujem të heshtur,
me njerëz të pushkës dhe të penës,
të besës dhe të kuvendit.
Me lulet e bjeshkëve të Korabit thurra kurorë,
Qyteti i blirit s’më la kurrë në harresë;
tek ‘Rruga e Arbërit’ thura vargje për dashuri,
qershia mbi tortë je ti, Tiranë,
dhe çdo hap yt shpërndan ëndrrën në shpirtin tim.
Unë mora me vete flladin e mëngjesit,
e ktheva në poezi, në udhëtim, amanet dhe lavdi.
Çdo hap mbi Rrugën e Kombit dhe Arbërit
ruan gjakun, kujtesën dhe besën e kombit në histori.
/QendraPress/