Fryma poetike e së dielës me poetin;- Rexhep HOTI–

Rexhep Hoti – Nëna!

————————————-

Ajo fjalët i përdori shumë rrallë;

E nderoi peshën e tyre si askush;

Për shtëpinë e çiknisë kur kishte mall

E ngjiste shikimin drejt bjeshkës,

Dhe mali përkulej për pamjen e saj!

Ajo udhëtoi shumë pak në jetë;

Për fëmijët kishte gjithmonë zemër e gaz;

O Zot,

S’e kërkoi kurrë asgjë për veten e vet;

Erdhi e shkoi,

Për të jetuar e për të vdekur

Për të tjerët në këtë botë!

Kur mosha e kërrusi pa mëshirë

Dhe ora fundit po trokonte tek ajo,

Nuk ia shuan nurin në fytyrë

As vdekja,

As ndalja e frymës prej mërzisë;

U mblodh një grusht,

Si ta kursente vendin për mysafirë

Dhe u fliste më pas njerëzve vetëm me sy,

Nëna e Shqipërisë!

Prill 2023

/www.qendrapress.com/