Fryma poetike e së dielës me poetin;-Sabit Rrustemi
BALADË STINËSH TË PASHIJUARA
( Varianti final )
——————————–
Tej meje e Vetes sate
pas një reje shterpë
fshihesh
Kaltërsive që shihen e s’preken
pa një buzëgaz të ëmbël
mbeta
Moteve që hyjnë e dalin
mbledh e shpërndaj
thërmizat e fjalëve të djegura
hirin e të cilave kund s’e gjeta
Ëndrrave të përnatshme
pas Teje lëshohem
e të thërras në emër
Kjo kohë shterpë
më thith e më shtrydh
për një ego të sëmurë krahine
ma largon sysh atë ëndërr jete
Bëji sytë çiçërr
zemra ime e virgjër
Një mal fjalësh të liga
një t’keqe t’madhe ndjellin
për ne
Shih ku prekë
ku shkelë
e ç’ajër thith
Lukuni qensh të përdalë
lehin ëndrrave tona
udhëve kah ecim grithin
Përskati me të pështyra
ato bëma të fshehura
Mendja mos të marrë erë
se s’të harroj unë
Në të katër anët e universit
ku Ti frymon
shtrij krahët
duart
e të pres
Dua që ardhja Jote
ta flakë në theqafje dhembjen më të thellë
po dhe atë baladë stinësh të pashijuara
që e grimcojmë heshturazi me dhëmbë
( 18 nëntor 2022 )
//www.QendraPress.com/