Fryma poetike e së dielës me poetin;-Sabit RRUSTEMI
NËN FLATRA ZOGJSH E PETALE LULESH
———————————————————–
Një mal puthjesh fluturojnë përditë kah Ti
si zogj të etur e të përmallur
Në lumin me zjarrin më t’ëmbël të dashurisë
që brendësisë sate parreshtur gurgullon
dëshirojnë të notojnë e kërkojnë
paqen e munguar të shpirtit
Hapi krahët e brigjet që t’i rrah sall era e uji
dhe fytyrën me buzëgazin grishës çile
e sytë ku futet e fshihet një qiell i tërë
të prehen përpak
këto shtegtare ndjenjash që s’shihen
sa për ta zbutur etjen time të rreshkur
nëpër vapë e mungesa
Prej këtyre puthjeve
që rendin pas Teje shtigjeve të ajrit
një mal lulesh lulon asaj hapësire
ku prehen e deehen ëndrrat e mia
Luleputhje e zogj trokasin
petaleve Tua jeshile
për ta shijuar atë nektar mjalti
që mbështillet e shtresohet zemrës Sate
As janë zogj as janë lule
po dashuria ime e fshehur
e dashur
Nën flatra zogjsh e petale lulesh
agun e dëshirtë të zemrës presin
( 3 nëntor 2009 – 15 maj 2023 )
/www.qendrapress.com/