Fryma poetike e së dielës me poetin;Dibran FYLLI
URIME KOSOVË – U BËFSH SHQIPËRI!
Katër poezi, për katër ikona
IKONË PËRJETËSIE
(Adem Jashari)
Aty
erdhe për të mos ikur kurrë,
feniks lirie,
udhërrëfyes,
frymë përjetësie.
Aty
linde,
u rrite,
u burrërove,
prapë linde.
Aty
në portat
e kopshtit të lirisë
rojë.
Ti
idol,
ikonë pavdekësie,
flamurtar
prijatar i një mijë betejave.
Ti
i gjallë (legjendë)
na ktheve shpresën,
jetën,
mbete fanar i pafikur
në rrugën e lirisë.
ÇDO SHESH, NJË PËRMENDORE
(Zahir Pajaziti)
Aty
me buzagaz burrëror
përherë me pamje djaloshare
qëndron vertikalisht.
Aty
në hijen e armës sate
pushojmë,
gjejmë lirinë.
Aty
kënga s’pushon
fëmijët të nderojnë
rreshtim,
paradë ushtarake.
Aty
përherë të gjejmë zgjuar
me ballin diell
e gjoksin mal.
Sepse Ti
largove vajin e nënave
rënkimin e etërve
lotin e motrave
solle Lirinë.
LUANI I MALEVE
(Luan Haradinaj)
E thirrën Zanat e malit
Që t’ia dhurojnë fuqinë e luanit.
Ai iu bashkua zërit kushtrimtar
U bë Legjendë
Në maje të Pashtrikut.
Në Dukagjin jeton përmot
Në Shalë flet shqiptarisht
Në Llap e Karadak frymon lirshëm
Në Drenicë bën muhabet me Ademin
Dhe gjithandej shpërndajnë rrezediellin.
Luanit të maleve rrudhat e ballit i flasin;
“Unë jam mirë, kur ju të bashkoheni!
Unë buzëqesh, kur çdo cepi të atdheut tim
do t’i thonë Shqipëri”.
KËNGA DHE PUSHKA E TIJ SIMBOL LIRIE
(Mujë Krasniqi)
Kur pushtonin shpirtrat e ligë
Zëri i tij dhe kënga u bënë pushkë
Ëndrrat e gjumashëve shekullorë
Në luftën çlirimtare i bëri krushkë.
Trimëritë ia flasin Zanat e malit
Ia flasin shokët e luftës
Buzëqeshjet në fytyra i ktheu
Si simbol lirie kënga e pushkës.
Edhe pse me shumë plagë në trup
Si dikur të Gjergj Elez Alisë
Në shtegun e lirisë nuk ndalon
Me shikimin e tij sigurt marshon
Edhe sot në Sheshin e qytetit
Roje e atdheut qëndron zgjuar
Nën vetulla hapur i qëndron syri
Armën s’e lëshon nga dora trimi.
/www.QendraPress.com/