Fryma poetike e së dielës me poetin;Milazim KRASNIQI
ATA ISHIN SHKRIMTARË BARBARË
—————————————————
Në Francuska 7
shkrimtarët serbë e kishin selinë.
Ata aty ishin nuk ishin shkrimtarë,
Ishin komesarë, paramilitarë,
ag e terr aty shkulmonin me fjalë,
dhe planifikonin mizorinë
luftërat për Serbinë.
Luftërat e tyre ishin fantaste,
sepse ata ishin shokë armësh me Llazarin,
me Millosh Obiliqin, me Brankoviqin,
ia përcillnin ato halucinacione shtypit,
komitetit, miletit.
Në dukje ishin njerëz normalë,
kur nuk ishin duke ckërmitur,
bile kryeshkrimtarin e tyre, Bullatoviqin,
e pashë njëherë tek doli nga WC-ja
me pantollona të stërpikur.
Por as përmjerrja s’e ndalonte
romanet t’i kthente në thika e shpata,
mikrofonin ta kthente në snajper,
fjala e tij në mikrofon ishte
më e errët se sa vetë nata.
Francuska 7 ishte kruzhok dhe shtab,
ku ata ishin bërë bashkë
për të nxitur krimet e reja,
mbi ato të vjetrat,
në fakt, ata nuk ishin kurrfarë shkrimtarësh
ishin bërë një bandë barbarësh.
/www.QendraPress.com/