Fryma poetike e së dielës me poetin;Setki Q. JASHARI

Sa e padrejtë kjo botë…

————————————–

Ishte një ditë e ligë, zi e vrantuar…

Ecja pa ditur se ku, krejt i jermuar

Dhe zuri të binte furishëm një shi

E në shpirt veç ndjeja, shumë mërzi

Nuk më vinte nga diku mërzita

As nga hallet e përditshme të miat

As pse shiu binte ftohtë, pa pushuar

Por ndihesha si i përbuzur, i vetmuar

Rastësisht u përplasëm në shëtitore

O grua fisnike, me atë fytyrë hyjnore

Të shihja plot dëshirë, qeshje bukur ti

Por qeshja dhe unë, dhe pse binte shi

Më magjepsën sytë e tu, të shkruar

Sa mërzitin, në çast e kam harruar

Më turbulluan, gërshetat mbi supe

Çfarë mrekullie! Sa e bukur mu duke

Të mbërtheva fort, si të isha dragua

Sikur erdhe nga qielli, enkas për mua

Shëtitëm disa rrugë, duke i ngatërruar

Ato çaste lumturie, s’kam për ti haruar

Nuk e di sa kohë, bashkë vrapuam

S’di as masën sa qeshëm, kënduam

Por më thatë se, bëni jetë të vështirë

Më the se yt shoq, është djall me brirë

Vërtet ligsht u ndjeva, unë i gjori

Fatkeqësia juaj, krejt gëzimin më mori

S’dija një rrugë, as shteg, t’ju shpëtoja

Por e dija mirë, se shumë të dashuroja

Edhe unë zemrën e djegur, të hapa

Se më lodhën dita, se më mërzit nata

Të thash se kam për grua, një katile

Se s’është njeri, por një djall me zile

Shiu vazhdonte të binte, pa pushim

Më bëhej, sikur tallej me fatin tim

Por shiun dhe të ftohtin, ne se ndjenim

Se putheshim me etje, magjinë shijonim

Sa shpejt erdhi çasti, për tu ndarë

Të bënim sikur ne, nuk ishim parë

Të ndaheshim, nuk kishim guxim

Na vriste frika, takim tjetër të donim

S’do ti harroj, ato sy të shkruar

S’do t’ju harroj, o grua e bekuar

S’do të harroj, as flokët gërsheta

S’do ta harroj, çastin që të putha

Sa e padrejtë është kjo botë, e çuditshme

Kjo botë tinëzare, e egër, e pamëshirshme

O miqtë e mi të mirë, ju lutem më thoni

Pse njerëzit që i duam, ne pranë si kemi…

Fundjavë të këndshme, miq të mrekullueshëm…

/www.qendrapress.com/