Fryma poetike e së mërkurës me poeten;-Adelina PALI
Nëpër netët spërkatur me vezullimin e yjeve
Edhe hëna përthyhet e kërkon një tjetër dehje.
Lëshon rrezet e argjendta gjer thellë pyjeve
Ledhaton gjithçka e etur gjer në deje.
E dashuron ajrin, qiellin dhe natyrën,
Po për malin madhështor ka tjetër ndjesi.
Ndaj rrezepraruara afrohet, i puth fytyrën,
Ashtu, madhështore i rri malit përbri.
Ah, do të zbresë atje ku fërgëllojnë lëndinat,
E lodhur nga qielli do nga mali të përkëdhelet.
Dhe befas mes zjarrmisë e ngjethin fërgëllimat,
Por mali sërish në ëndrrat e saj ngelet.
Dhe rri ashtu, shtrirë qiellit të pastër hëna,
Me dëshirën marrosëse të prehet diku… të ndjejë,
Të rendë livadheve, nëpër gjethet e rëna,
Veç të derdhë vështrime lozonjare larg, tej…
/www.qendrapress.com/