Fryma poetike e së mërkurës me poeten;-Ajne IBERHYSAJ

E kam shikimin tand në shpirt
Në çdo çast e ndiej brenda meje zanin tand
Rrokullise një gotë për vete
Ngrit një dolli për sytë e etur
Këndo, n’telat e kitares, pellgje të acarta
Hëna mbetet gjithmonë e re.

Shpirt e zemër gojëkyçur
Ëmbël e qetë i prek buzët e gotës
Në vena e ndiej drithërimën
E gjakut që pikon gjurmëve të mia
Dhe m`i le ëndrrat zgjuar
Ta ruajnë gjakftohtësinë time.

Mbushe prapë një gotë gëzimplote
Asnjëherë fjalët hyjnore nuk kanë dy kuptime
Të bardhin tis jete kur nëna ta vuri mbi kokë
Grimcat e shpirtit me mijëra herë të puthura
Ta bekuan emrin në odën e zjarrit.

Në ç`do gjurmë e gjej një pikë ku biem e ngrihem
Cifla të qelqta, ngulen thellë në shpirt
Mbesin si nishane kohe të prapme
Grimca të vogla me plot gota të rrokullisura
Vite të mbara që zemra i do fortë
Në çdo çast e ndiej zanin tand
Në hartën e syve tu
Udhët zhurmojnë pamëshirshëm
Me zëra fëmijësh…

Përditë në shpirtin tim troket hija jote
Sytë e mendjes i prek me dorë
Sa ëmbël tingëllon përpjetë Olimpit
Veç ai që dashuron arrin i lumtur n’majen e Korabit.

Hëna në cep të qiellit
Me yje pa asnjë fjalë lundrojnë
Brenda nesh një peng i madh fjalësh
Mbesin si nishane të përmalluara në shpirt
Ngelin si yjet e natës
Që nuk numërohen deri në fund.

/www.qendrapress.com/