Fryma poetike e së mërkurës me poeten:-AJNE IBERHYSAJ
SHPRUSHE ATË ËNDËRR BRENDA MEJE
( Cikël poezish )
NËPËR PLASA TË FRANGJIVE
I
Një tufë stinësh ku mund t’i gjej
Si hajmali në gjoksin tim t’i mbaj
Që ta ndiej ritmin e zemrës si rrahë
Frikën e heshtjes brenda kullës ta ndjej
Krenarinë e këputur me vaj e herë me mall
Me frymën e ngrohtë të vatrës.
I ndiej si pulsojnë damarët e gjakut
Duke ecur midis agut e muzgut
Derën që hapet me vrull ndjenjash
E mijëra rreze kur papritur e thyejnë terrin.
Ku ndahen rrugët thonë puqen shikimet
Aty pastaj lindin rrezet, shfaqet dhe hëna
Në frengjitë e kullës së heshtur
Ku përvidhen tinëzisht fjalët shpresat
Aty të pres siç e pret etja shiun.
Ti më del para syve si bajrak i zjarrtë
I ngujuar diku në plasa gurësh
Me atë zë epik që e doja e s’e harroj
Duke e kënduar atë këngën e moçme
Ulur këmbëkryq pran oxhakut
Në duet me ty
Babë.
II
Mbi gaca prushi
Fluturojnë fluturat e bardha
Zgjas duart me përputhen e diellit
Që t’i fshij hijet nën rreze të frëngjive.
Kur mund të takoj sërish
Sikur më buzëqeshe egër e më the
Do t’jemi këmbëkryq në kullë
Me aromën e pranverës
Nuk të premtoj se mund të qajmë bashkë
As që do të qeshim njëkohësisht
Nuk kam më lot.
Ti mos u frikëso nga lartësitë
Ngjitu shkallëve të fatit tënd
Të përqafuar si gjethja me erën
Do t’i presim motmotet
Të ngujuar në plasa të frëngjive
Nën frymën e ngrohtë të këtij nënqielli.
KUR TË DUASH EJA
Drita ime e vargut,
I hap krahët e asnjëherë nuk ngopesh
me përqafime e dashuri.
Fryma e shpirtit tim
Me plot rreze e dëlirësi
Ne çdo fjalë t’i ndiej rrahjet e zemrës
Më ngjan se trishtimi shkrihet ndër valë
Përqafimi strofave të pafundme
Ndjenjat çmendurisht
Me vrull shtrëngojnë gjoksin
Rrahjet e zemrës
Si hapat e fëmijëve kur lëndojnë këmbët
Dënesin e fshajnë
Ti, njëmend je engjëllor
Zemra ime – pranë teje gjithmonë
Shpërthen e të njëjtat dallgë
Aq sa unë unë, s’iu bëj ballë
Jepem pa fjalë.
Si një dashuri e parë
N’mëkat me ty bie…
Si të hesht ?
Ajo më vret në shpirt.
Këtu jam, kur të duash, eja …
SONTE
Nata braktis terrin
Trishtimi del nga vetja
Kënga mbetet pa melodi
Sonte
Hija që djeg diellin
Je Ti
Mosardhja jote
Në fyt ma ngufatë ajrin.
Malli
Ky mik i moçëm
I paftuar shfaqet në shpirtit tim.
Orfeu në majë të lotit
E vari këngën e pakënduar
Po nisem për tek ti
Vjeshtës se hershme
T ia puth lotët e diellit
MA THUAJ ATË QË DO …
Në parmakun e syve të lodhur
Ngadalë zgjon timbrin e shpirtit.
I ngjizur në humnerën e zemrës
I dehur me lotin e Posejdonit,
I përgjumur në detin e shpresës
Prek fjalët e panjohura lehtas
Afsh që ndizet e tretet si Feniks
një botë e fjetur psherëtinë…
Etja përpin vetminë̈
Më rrëmben me aromë salepi,
Shpirtin e ngrirë e trazon.
Era e detit shpupurit
Valën e heshtur shprush
Aromën në mendjen time të etur
Me fajin gozhduar në shpirt
Gurëve të mi fshehur
Ndrydhem
Qielli thinjet nga loti i puthjes
Dallgët puqen e vriten në largim
Shpirt i rënduar pikon
Zgjon fajin e gozhduar.
Shprush atë ëndërr brenda meje
M thuaj atë që do
E mos e bluaj veten tënde
Si unë
PA TY…
Kafja iken me ditën e mire,
nën veladonin e natës në ardhje
fshihet
Mbetur fikall me veten
Flas me filxhanin në duar
Shija ime,
Me asgjë nuk të ndërroj,
As me këtë mëngjes të ftohtë dimri
Ndenjat e mia
Ma dhurojnë brenda meje
Një çast dashurie,
Detit të trazuar të kohës
Jeta ime pa Ty
Një Orë e ndryshkur pa vlerë
Kush ma shkund hirin e shpirtit
Shtresuar thellë
Pos Teje
Aromë e mbetur kujtesës
Përjetësisht më djeg
/www.qendrapress.com/